Lajme Shqip Thursday, 09 February 2012 18:13

Koncesionarët e automjeteve të reja kërkojnë ndryshimin e ligjit për taksimin e makinave, që ka hyrë në fuqi në shtator 2011.

Ata argumentojnë se, ky ligj favorizon importin e automjeteve të përdorura, duke dëmtuar aktivitetin e tyre.

Drejtori Ekzekutiv i kompanisë “Fiat”, Oltion Murataj shprehet se hyrja në fuqi e këtij ligji e ka dëmtuar shumë këtë biznes dhe ka shkaktuar rënie të shitjeve deri në 70%.

Ndërsa menaxheri i Përgjithshëm i kompanisë “Ford”, Ilia Çili, argumenton defektet e ligjit duke sjellë në vëmendje edhe praktikën europiane.

Çili thotë se ligji duhet ndryshuar, pasi asnjë shtet në botë nuk favorizon importin e automjeteve të përdorura nga vendet e tjera.

Sipas të dhënave  nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, mesatarisht çdo ditë futen në Shqipëri 130 mjete transporti të përdorura, me vjetërsi deri edhe 15-vjeçare, mjafton të blihet lirë jashtë dhe të paguhet detyrimi 20% i TVSH.

Për vitin 2011 llogariten të jenë importuar 29 mijë automjete të përdorura, nga të cilat 18 mijë janë importuar vetëm nga muaji shtator, kur ka hyrë në fuqi ligji dhe deri në muajin dhjetor.