Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 13:59

Mitrovicë- Asociacioni i Komunave të Kosovës (AAK) ka përzgjedhur Komunën e Mitrovicës më të mirën në Kosovë sa i përket shkurtimit të procedurave për regjistrimin e një biznesi.

Komuna e Mitrovicës është nderuar edhe me një letër-falënderim nga AKK-ja për shkëmbimin e kësaj praktike me komunat tjera.

Zyrtarët komunalë thonë se tashmë Komuna e Mitrovicës është shndërruar në një pikë referimi në Kosovë sa i përket shkurtimit të procedurave për regjistrimin e një biznesi. Gani Shala,  drejtor për Financa dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Mitrovicës, tha se pikërisht për këtë arsye Komuna e Mitrovicës është përzgjedhur si shembull për shkëmbimin e praktikave në këtë fushë në kuadër të një projekti të Asociacionit të Komunave të Kosovës të përkrahur nga OSBE-ja. 

Shala tha se Qendra komunale bizneseve e quajtur “One sto shop”, është formuar në bazë të një memorandumi mirëkuptimi në mes të Zyrës për regjistrimin e biznese dhe Komunës së Mitrovicës në gusht të vitit 2010. “Krijimi i këtyre qendrave nëpër komuna dhe konkretisht kjo në Mitrovicë ka shkurtuar procedurat dhe kohën e regjistrimit të një biznesi”.

Theksoi se këto qendra kanë krijuar një ambient shumë më të përshtatshëm për bizneset, meqë është thjeshtuar dhe reduktuat kostoja e shërbimeve të regjistrimit të biznesit. “Gjithashtu është rritur cilësia e përgjithshme e shërbimit për sipërmarrësit në nivelin komunal. Komuna tash ka qasje të drejtpërdrejtë lidhur me bizneset”.

Ai sqaroi se kjo zyrë është inkorporuar në kuadër të “Qendrës komunale për shërbime dhe klientë” dhe është në kontakt të drejtpërdrejt më qytetarin. “Në atë zyrë jepen informacion për regjistrimin e biznesit, pranohen aplikacione për regjistrim, procedohen dhe përpunohen lëndët e pranuara dhe në mënyrë elektronike dorëzohen në Agjencionin e Regjistrimin të Biznesit për aprovim”.

Drejtori Shala tha se pranë kësaj zyre qytetarët mund të njoftohen për të gjitha detyrimet ligjore dhe detyrimet që dalin nga korniza ekzistuese ligjore që rregullon regjistrimin e bizneseve. “Objektivat e Zyrës për regjistrimin e bizneseve janë ndihma për zhvillimin ekonomik të komunës, promovimi i efikasitetit afarist dhe kontributi në arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm”.

Zyrtarët që punojnë në Qendrën për regjistrimin e bizneseve thonë se qytetarët janë shumë të kënaqur me mundësinë që u është ofruar. Florie Ibishi, zyrtare në këtë qendër, potencon se pas hapjes së kësaj qendre është vërejtur rritje e numri të bizneseve të regjistruara.

Ajo thekson në vitin 2010 janë regjistruar 156 biznese, ndërsa në vitin 2011 janë regjistruar 347.  “Prej gushtit të vitit të kaluar, kur është hapur qendra deri në maj të këtij viti janë regjistruar 503 biznese”.