Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 15:05

Tregu i telefonisë celulare po tkurret dhe të ardhurat e kompanive vazhdojnë të bien edhe gjatë vitit 2011. Sipas drejtuesve të kompanive kryesore, për 6-mujorin e parë të këtij viti rënia është dyshifrore.

Ata shprehen se rënia ka ardhur si rezultat i rritjes së konkurrencës dhe i uljes nga Autoriteti Rregullator të tarifave të interkoneksionit, si për thirrjet e brendshme, ashtu edhe për ato ndërkombëtare. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka nisur procesin e orientimin drejt kostos të tarifave me shumicë për thirrjet dhe për mesazhet e shkruara, ulje që do të vazhdojë deri në vitin 2013.

“Në këndvështrimin tonë, tregu i telefonisë celulare është një treg në rënie. Rënia e të ardhurave ka ndodhur për disa arsye. Së pari, tarifat me pakicë kanë pësuar ulje drastike, për shkak të konkurrencës së lartë në treg.

Një ndikim kanë pasur edhe ndërhyrjet e Autoritetetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për rregullimin e tarifave të interkoneksionit. Kjo nuk ishte parashikuar të ndodhte, por AKEP gjykoi se ky ishte një hap i dobishëm për të nxitur më tej konkurrencën. Gjithashtu, ulje kanë pësuar edhe tarifat me shumicë për trafikun ndërkombëtar hyrës. Të gjithë këta faktorë së bashku kanë sjellë rënie të të ardhurave për operatorët celularë,” tha Haris Broumidis, drejtor i përgjithshëm i Vodafone Albania.

Sipas të dhënave zyrtare më të fundit, për vitin 2010 të ardhurat e kompanive celulare ishin 41.9 miliardë lekë, me një rënie prej 11% krahasuar me vitin 2009. Dy kompanitë më të mëdha, AMC dhe Vodafone Albania pësuan rënie të të ardhurave vjetore përkatësisht me 18% dhe 12%.