Tiranë – Drejtori juridik i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Eduard Elezi u shpreh sot në media, se “kompania CEZ duhet t’i paguajë detyrimet KESH-it”.
Sipas tij, këto borxhe nuk janë debi të trashëguara, por një borxh i ri i krijuar që prej kohës kur dy kompanitë kanë lidhur kontratat.
Gjithashtu, drejtori juridik i ERE-s u bëri thirrje qytetarëve t’i drejtohen Entit për çdo ankesë, pasi muajt e fundit janë shtuar ndjeshëm ankesat e tyre, që lidhen më së shumti me mbifaturimet e energjisë elektrike.
Ndërkaq, KESH-i sqaron se CEZ i detyrohet 58 milion euro borxh, të krijuar që nga dhjetori i vitit 2010 dhe në vijim.
Mosshlyerja e borxhit nga CEZ i ka krijuar vështirësi financiare KESH-it, i cili u ka borxh bankave shumën prej 70 milionë euro, të cilat i ka marrë për të blerë energji jashtë vendit, në kushtet kur thatësira ka ulur dukshëm nivelin e ujrave në liqenet e kaskadës së Drinit.
Gjithashtu, kompania CEZ i detyrohet edhe kompanisë publike të transmetimit OST me borxhin në vlerën prej 20 milionë euro.