Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 16:30

Tiranë – Mbi 10 kompani të njohura ndërkombëtare kanë paraqitur interes për marrjen me koncension me afat të gjatë për rehabilitimin, mirëmbajtjen dhe operimin e autostradës Milot-Morinë, e cila lidh qytetet e Durrësit dhe Tiranës me Republikën e Kosovës.

Burime nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit bënë të ditur sot se, është shtyrë edhe afati i pranimit të dokumentave parakualifikuese deri më 27 shkurt.

Sipas burimeve nga ministria e Punëve Publike dhe Transportit, që në momentet e para të hapjes së tenderit ndërkombëtar dhe publikimit të ftesës për pjesëmarrje në procedurën parakualifikuese në disa nga mediat me të njohura ndërkombëtare si “Herald Tribunë”, AFP, por edhe në mediat lokale të vendit dhe faqen e MPPT-së, kompani të shumta ndërkombëtare kanë paraqitur interes për pjesëmarrjen në tender.

Burimet bënë të ditur se në kërkesë, parashikohet që konçesionari, subjekt i një sërë standardesh performance, do të jetë përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës, duke përfshirë dhe mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës 5.6 km të gjatë, me dy korsi, operimin e një stacioni për mbledhjen e tarifës, dublimin e një segmenti 26 km të gjatë të autostradës si dhe ndërtimin e disa strukturave shtesë.

Ministria, në bashkëpunim me konsulentët e saj, ka bërë studimet e duhura për projektin, kopje të së cilit do t’i vendosen në dispozicion ofertuesve të parakualifikuar, ndërsa fton subjektet dhe bashkimet e shoqërive të interesuara, me eksperiencë në operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradave të dërgojnë aplikimet e parakualifikimit për këtë konçesion”.

Dokumentat parakualifikuese, mund të merren në disa mënyra, si përmes shkarkimit elektronik në faqen zyrtare të MPPT-së, me e-mail, apo edhe fizikisht, pranë MPPT-së.

Ftesa për oferta, është hapur nga data 19 dhjetor dhe do të jetë e hapur deri në afatin e fundit të pranimit të dokumentave parakualifikuese që është 27 shkurt 2012, ora 15.00.

Ofertuesit e mundshëm duhet të dorëzojnë vetëm një ofertë. Pas dorëzimit të aplikimit parakualifikues, ofertuesit e mundshëm do t’i nënshtrohen detyrimeve të parashikuara në dokumentat parakualifikues.

Autostrada Durrës-Kukës-Morinë, u inaugurua në qershor të vitit 2009 nga kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Kjo autostradë lidh Durrësin me vendkalimin kufitar me Kosovën në Morinë, ndërsa kalon nëpër Milot, Rrëshen, Reps, Thirrë, Kalimash e Kukës. Ajo ka një gjerësi 25-31 metra, gjatësi prej 170 kilometra dhe në të arrihet shpejtësi nga 80-120 km/h. Nga kufiri në Morinë deri në Durrës, rruga ekzistuese që përshkohej për 6 deri 7 orë është kthyer në një rrugë të shpejtë që mund të kalohet për vetëm 2,5 orë.

Autostrada afron Kosovën me Shqipërinë dhe bregdetin e Adriatikut, duke u lidhur edhe me një projekt të ngjashëm në Kosovë, autostradën Merdare-Vërmicë, momentalisht në zhvillim e sipër.

Fillimisht i ideuar nga ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko në vitin 1999, projekti filloi të realizohet në vitin 2003, kur Banka Botërore financoi studimin e fizibilitetit që përshkon kjo autostradë tani. Por, në vitin 2005, Qeveria vendosi prioritet ndërtimin e kësaj autostrade duke orientuar edhe shumicën e fondeve për investimet publike drejt këtij projekti.

Tuneli prej 6 kilometrash ishte sfida kryesore e këtij projekti, pasi gjatësia e tij ishte e rrallë në rajon. Ai është çift tunelesh që lidhen mes tyre çdo 500 metra. Procesi i hapjes së tij diktohej nga natyra shkëmbore e terrenit. Përafërsisht, nga njëra anë hapeshin pesë metra në ditë gjatë 24 orëve punë në ditë. Gjithashtu, gjatë një dite ndodhnin edhe 2-3 shpërthime. Pastaj bëhej izolimi, forcimi i strukturës së hapur, përgatiteshin kanalet e kullimit të ujit që rrjedh nga shkëmbi, e përcilleshin nga materiale speciale të papërshkueshme nga uji. Punimet për ndërtimin e tunelit dhe pjesës më të madhe të autostradës u kryen nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel&Enka” , nga nëntori i vitit 2006 deri në qershor të vitit 2009.