Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 16:31

Tiranë – Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Tomi Kola, deklaroi sot se, një biznesi i duhet vetëm një ditë për t’u regjistruar duke paguar një faturë prej 100 lekësh.

Ndërkohë, që në raportin e fundit “Doing Business 2011” të publikuar nga Banka Botërore, thuhet se në Shqipëri, një biznesi i nevojitet mesatarisht 5 ditë për t’u regjistruar. Sipas raportit, tarifa e regjistrimit arrin në 30% të të ardhurave për frymë.

Por, raporti nuk specifikon nëse të ardhurat janë mujore, apo vjetore. Kola shton se, metodologjia e vlerësimit të përdorur në raportin e Bankës Botërore është e gabuar dhe nuk bazohet në të dhëna zyrtare.

Regjistrimi i biznesit brenda 24 orëve është pjesë e reformës rregullatore për krijimin e një klime sa më të lehtë për investime në Shqipëri. (LajmeShqip.com)