Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:00

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha priti sot, një grup përfaqësuesish të rreth 400 kompanive që morën pjesë në Panairin Klik Ekspo Klik dhe përfaqësuesin e Klik Ekspo Grup, Luan Muhametaj, bi cili i dorëzoi Kryeministrit, Shqiponjën e Artë të biznesit, si dhe medaljen e Klik Ekspo Grup si anëtare e Qendrës Botërore të Panaireve, në shenjë falënderimi për mbështetjen e madhe dhënë bizneseve dhe organizimit të panaireve ndërkombëtare.

Kryeministri Berisha falënderoi z. Muhametaj për punën e shkëlqyer në këtë drejtim, organizimin e panaireve ndërkombëtare në mënyrë të vazhdueshme dhe periodike, si ngjarje që promovojnë Shqipërinë dhe potencialet e tjera për investim.

Puna juaj dhe aktivitetet që ju organizoni, tha Kryeministri, është shumë i rëndësishëm dhe kontribues në tërheqjen e investimeve të huaja.

Kryeministri theksoi që është në qendër të vëmendjes së tij dhe qeverisë që ai drejton edhe ngritja e një qendre ndërkombëtare panairesh, për të mundësuar organizimin e të tilla aktiviteteve të standardeve ndërkombëtare, shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.

Përfaqësuesi i Klik Ekspo Grup dhe përfaqësuesit e bizneseve nga 20 vende thanë se tashmë Kryeministri i parapriu kërkesës së tyre dhe ata ishin të mendimit që tashmë janë pjekur kushtet dhe është bërë e domosdoshme ngritja e një qendre ndërkombëtare panairesh.

Duke e falënderuar përzemërsisht Kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme në punën e tyre, si dhe për vizionin në lidhje me zhvillimet e ardhshme, ata bënë të njohur se për të realizuar projektin e qendrës ndërkombëtare të panairit kanë tashmë bashkëpunimin e dy partnerëve, panairin e Mynihut dhe atë të Ekspo Shangai.

Ata, gjithashtu, shprehën kërkesën për t’u përfshirë në programin e aktiviteteve madhore që do të zhvillohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, duke dashur të japin kontributin e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme për kombin.

Kryeministri Berisha i falënderoi edhe një herë për kontributet e dhëna dhe për ato që do të vazhdojnë të japin në të ardhmen, duke i siguruar për mbështetjen e qeverisë së tij në realizimin e këtyre projekteve madhore.