Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 19:20

Tiranë – Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të nisë një inspektim të thelluar tematik për çështjet e ekzekutimit të kolateralit në favor të bankave. Piro Samara, inspektor i KLD, thotë se, për shkak të ankesave të shumta të marra nga bankat, nënkryetari Kreshnik Spahiu do të kërkojë miratimin e një inspektimi të thelluar qysh në mbledhjen e ardhshme të institucionit.

“Duke parë se bëhet fjalë për një problematikë të madhe, pasi po flasim për shkelje të mundshme ligjore, vetë zëvendëskryetari i KLD, Kreshnik Spahiu, ka marë nismën që në mbledhjen më të afërt të KLD të kërkojë miratimin në mënyrë unanime për një inspketim të ri, tematik, për të gjitha këto ankesa që kanë paraqitur shoqëritë bankare,” thotë z.Samara.

Sipas tij, për rastet e ekzekutimit ligji parashikon një afat 20 ditor, që duhet të respektohet nga gjykatësit. Zvarritja e çështjeve të ekzekutimit të kolateralit është bërë aktualisht një nga shqetësimet më madhore për bankat. Gjykatat i zvarrisin këto çështje me muaj të tërë, duke sjellë kosto të rënda për sistemin bankar dhe për ekonominë e vendit.