Lajme Shqip Monday, 03 December 2012 18:18

TIRANE – Prej dy ditësh, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka ndërprerë importin e energjisë dhe po e furnizon vendin nëpërmjet prodhimit nga hidrocentralet. Ndihmuar edhe nga reshjet e ditëve të fundit, prodhimi vendas i energjisë ka arritur nivelet rekord të 18 milionë kilovat orëve në ditë.

Burime zyrtare në KESH shpjegojnë për NEWS24 se shkak për ndërprerjen e importit janë bërë procedurat që po kryhen për sigurimin e importit të energjisë gjatë periudhës në vijim.

Ndërkohë situata hidrike në vend është përmirësuar nga reshjet e fundit. Niveli i ujit në Fierzë ka arritur në 269 metra, ndërkohë që prurjet llogariten në 350 metra/kub në sekondë.

Niveli i Komanit ka arritur në 170.4 metra dhe prurjet janë 300 metra/kub në sekondë, ndërsa në Vaun e Dejës niveli i ujit llogaritet në 73.98 metra dhe prurjet anësore janë 100 metra/kub në sekondë.

Duket se kushtet atmosferike po ndihmojnë Koorporatën këto ditë, ndërkohë që qeveria ka garantuar mbështetjen maksimale për sigurimin e importit, me qëllim furnizimin pa ndërprerje me energji të qytetarëve. Kjo nëpërmjet garancive që ekzekutivi do të japë për KESH-in, që të sigurojë kredi për blerje energjie. (LajmeShqip.com)