Lajme Shqip Wednesday, 02 November 2011 20:20

Tiranë- Heqja e TVSH-së për prodhimet bujqësore dëmton prodhimin vendas, krijon monopole, prish balancat tregtare të eksport-importit dhe mbi të gjitha nuk ndikon në uljen e çmimeve të prodhimit bujqësor.

Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) si një nga aktorët kryesorë të mbrojtjes së interesave të agroindustrisë e fermerëve të bujqësisë ka reaguar të mërkurën, duke e quajtur të gabuar nismën e opozitës për heqjen e TVSH-së për ushqimet.    

Presidenti i KASH-it, Enver Ferizaj, në një konferencë për shtyp, tha se “sot bujqësia shqiptare operon në një treg të lirë, mbi bazën e nënshkrimit të marrëveshjeve të MSA-së e CEFTA-s, çka nënkupton që ajo nuk mund të zhvillohet pa taksa”.

Duke argumentur më tej, kreu i agroindustrisë, theksoi se “kur flasim për uljen e TVSH-së, të një produkti qoftë i importuar apo prodhim vendas, prioritare duhet të jetë politika e lehtësimit (ose uljes së kostos) që shkon te konsumatori, në mënyrë që ai të ndiejë dhe prekë realisht uljen e çmimeve”.     

Sipas tij, marrja e kësaj iniciative pa një strategji të mirëfilltë pa e politizuar problemin, dëmton interesat e prodhuesve vendas, konsumatorit, prish balancat në treg dhe ndikon negativisht në mbledhjen e të ardhurave në shkallë vendi.     

KASH, është bashkim i 23 shoqatave të agrobiznesit. Misioni i tij është mbrojtja e interesave të prodhuesve vendas, nxitja e zhvillimit të biznesit bujqësor dhe përmbushja e kërkesave të konsumatorëve.