Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:12

Tiranë – Amnistia fiskale do të sjellë përfitime të mëdha edhe për bizneset agrare dhe ato përpunuese. Kreu i këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Enver Ferizaj, tregon se paratë e fermerëve që nuk janë të deklaruara apo gjenden në banka jashtë vendit, llogariten deri në disa miliarda euro.
“Fermerët shqiptarë llogarisin deri në 4 miliardë euro para në llogaritë jashtë vendit, apo edhe këtu, të cilat nuk i deklarojnë”, shprehet Ferizaj, duke shtuar se aktualisht, 50 për qind e popullsisë jeton në zonat rurale. Gjithashtu, sipas tij, amnistia fiskale do të bëjë të mundur legalizimin e shumë aseteve apo tokave bujqësore, të cilat janë blerë dhe nuk janë deklaruar më pas.
Ndërkaq, ashtu sikurse edhe përfaqësues të bizneseve të tjera, presidenti i KASH kërkon rishikimin e tarifave të deklarimit. “Asete të shumta të fabrikave në zonat rurale, që prodhojnë produkte të ndryshme si mish etj., nuk janë të formalizuara dhe janë nën nevojën e legalizimit. Tarifat janë të larta, mendojmë se vlera 3 për qind është normal për taksimin e amnistisë”, thotë Ferizaj.
Aktualisht prodhimet bujqësore në vend kanë pësuar një rritje të lartë, duke dëshmuar për ulje të sasisë së mallrave që vendi ynë importon nga vendet e huaja.
Nismën e qeverisë për zbatimin e amnistisë fiskale e ka përshëndetur edhe biznesi i madh eksportues. Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, deklaron se kjo amnisti do të pasurojë llogaritë e bizneseve, pa përfshirë këtu ato biznese, të ardhurat e të cilëve gjenerojnë nga aktivitete kriminale. Sipas tij, kjo amnisti është mjaft e domosdoshme pasi në këto 20 vitet e fundit, biznesi shqiptar ka operuar në kushtet e një ekonomie informale me të cilën i është dashur të përshtatet, duke mos pasur edhe eksperiencën e duhur si pasojë e së shkuarës.