Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 15:50

Tiranë – Nga java e ardhshme, Bashkia e Tiranës, për të parandaluar spekulimet me çmimet, në ndihmë të konsumatorëve, do të bëjë publike çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës dhe fruta-perimeve.

Drejtori i Agjencisë bashkiake të Mbrojtjes së Konsumatorit (AMK), Geron Ibrahimi tha se, “në mënyrë periodike, do të publikohen çmimet me shumicë dhe pakicë të dy tregjeve ushqimore, të ish- Uzinës Dinamo dhe Qytetit të Nxënësve”.

Ibrahimi tregoi se do të publikohen dhe çmimet mesatare në çdo minibashki, me synim që konsumatori të jetë i informuar për luhatjen e çmimeve në zonat e ndryshme të Tiranës.

Strategjia e AMK-së parashikon që informimi i qytetarëve do të kryhet edhe përmes fushatave ndërgjegjësuese, pasi Bashkia e Tiranës është edhe ofruese e shërbimeve e produkteve për konsumatorët e kryeqytetit dhe mban përgjegjësi për dëmet apo abuzimet e mundëshme që mund t’u shkaktohen banorëve nga shërbimet apo produktet me defekt dhe të rrezikshme.

“Natyrisht që konsumatorët duhet të jenë në gjendje që t’i provojnë ankesat e tyre. Ata do të mund t’a bëjnë këtë nëpërmjet një numri telefoni të dedikuar, një siti në internet apo me paraqitjen e një ankese pranë një sporteli të posaçëm”, vijoi  Ibrahimi.

Sot Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit dhe tregtarëve që operojnë në qytetin e Tiranës. Qëllimi i këtij takimi ishte marrja e masave dhe bashkërendimi i veprimeve për të parandaluar rritjen abusive të çmimeve ne prag te festave te fundvitit.