Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 13:37

Tiranë – Kredia për biznesin ka pësuar një frenim. Statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë treguan se për muajin janar teprica e kredisë për biznes kishte vlerën e 329.9 miliard lekëve, gjysmë miliard lekë më pak se në fund të muajit dhjetor.

Frenimi i rritjes së kredisë iu detyrohet pjesërisht faktorëve sezonalë, sepse dihet që gjatë muajve të parë të vitit aktiviteti ekonomik i bizneseve është gjithnjë më i ngadaltë. Megjithatë, jo gjithçka shpjegohet me ecurinë sezonale.

Kredia e re e dhënë në janar të këtij viti është ndjeshëm më e ulët krahasuar me muajin janar të një viti më parë. Në muajin janar të këtij viti u dhanë 16.8 miliard lekë kredi e re, nga 21.5 miliard lekë që ishin dhënë një vit më parë.

Kredia e re e dhënë gjatë muajit janar të këtij viti përfaqëson shifrën më të ulët mujore që nga tetori i vitit 2009. Ndonëse statistikisht një muaj i vetëm nuk mund të shërbejë si bazë për konkluzione pesimiste, kjo e dhënë tregon se shpejtimi i kreditimit, ashtu si i ekonomisë vetë, ka ende nevojë për kohë.

Nga rreth 14 miliard lekë kredi e re për biznesin e dhënë në muajin janar, vetëm një e treta e kësaj shumë shkoi për invesatime në blerje makinerish dhe pajisjesh, ndërkohë që pjesa më e madhe shkuan për overdraft dhe kapital qarkullues.