Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 14:25

Tiranë- Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka mbështeti sot në një konferencë për shtyp kërkesën e biznesit kosovar për heqjen e çmimit të referencës së prodhimit  bujqësor dhe veçanërisht, patates nga Dogana shqiptare, si një pengesë e eksporteve nga Kosova.

Jaka kërkoi nga ministri i Financave dhe Doganat heqjen e barrierave fiskale për prodhimet nga Kosova. “Ne pretendojmë të arrijmë unifikimin fiskal mes dy vendeve, ndërsa po hasim pengesa për qarkullimin e mallrave”, tha Jaka.

“Nëse me Serbinë çmimi i referencës së patates është 0, 08 cent, me Malin e Zi, 0.10 cent, apo me Maqedoninë 0.14 cent, me Shqipërinë ky produkt eksportohet me çmim reference 0.24 cent. Ky është një problem shqetësues dhe që kërkon zgjidhje të shpejtë”, tha Jaka.

Ai bëri të ditur organizimin shumë shpejt në Tiranë të një forumi të përbashkët mes biznesit të Shqipërisë dhe Kosovës për të diskutuar rreth shqetësimeve që kanë krijuar çmimet e referencës për mallra, të cilat frenojnë rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

“Do të organizojmë një forum me biznesin për t’i dhënë zgjidhje këtyre barrierave që krijojnë probleme artificiale mes nesh. Si partnerë, ne e shohim me optimizëm zgjerimin e marrëdhënieve tregtare dhe do të kërkojmë që politika në dy shtetet të reagojë në këtë drejtim”, tha Jaka.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Behxhet Nuri theksoi dëshirën e biznesit kosovar për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve. “Ne duam të thellojmë bashkëpunimin ekonomik, që deri tani ka mbetur pas, ndaj duhet të largojmë barrierat që nuk na ndihmojnë. Duhet të eleminohen barrierat fiskale për mallrat kosovare, ndërsa barriera ndaj patates nuk i bën nder as Shqipërisë, as Kosovës”, tha ai.

Prodhimi i patates në Kosovë përbën një ndër prodhimet më kryesorë, pasi një numër shumë i madh fermerësh janë subvencionuar nga fonde hollandeze. Sot ky prodhim e rendit Kosovën si ndër prodhuesit e mëdhenj në rajon, e ku janë kryer investime të mëdha. Pak kohë më parë, ministrja kosovare Lila deklaroi se Kosova do të vendosë masa kundër mungesës së reciproritetit për mallrat kosovare me të gjitha vendet që nuk e zbatojnë këtë parim. (LajmeShqip.com)