Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 21:57

Tiranë- Biznesi shqiptar dhe ai kosovar diskutuan mbi problematikat që hasin në bashkëpunimin e tyre, ku theksi kryesor iu vu çëshjes doganore, konkretisht çmimit të referencave për produktet ushqimore, dhe kryesisht për eksportimin e patates.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka gjatë një takimi të zhvilluar me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhalliu në Prishtinë i kërkuan ministrisë së Financave gjetjen e një zgjidhje për çmimin e referencës për këtë produkt, me qëllim moskrijimin e raporteve të ngrira tregtare.

Në korrik të vitit të kaluar me perpjekjen e Dhomës së Tiranës dhe Odës së Kosovës u arrit që të hiqej referenca doganore për këtë produkt, por që prej dhjetë ditësh ajo është kthyer në doganën shqiptare madje me çmim reference më të lartë se më të gjitha vendet e rajonit.

“Nëse me Serbinë çmimi i referencës së patates është 0, 08 cent, me Malin e Zi, 0.10 cent, apo me Maqedoninë 0.14 cent, me Shqipërinë ky produkt eksportohet me çmim reference 0.24 cent. Ky është jo vetëm një problem shqetësues dhe që kërkon zgjidhje të shpjetë, duke vënë në diskutim marrëdhëniet tona tregtare me këtë vend”, tha Jaka.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë bën të ditur se i është drejtuar me një shkresë zyrtare ministrit të Financave, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave ku kërkohet një përgjigje e shpejtë dhe përfundimtare të këtij problemi për të mos krijuar raporte të ngrira tregtare jo vetëm më Kosovën, por dhe me të gjithë vendet me të cilat shkëmbimet tona ekonomike janë të rëndësishme. (LajmeShqip.com)