Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 13:26

Tiranë – Përdorimi i internetit në Shqipëri ka arritur në 43.5%. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve, ITU, tregojnë se për vitin 2010 në Shqipëri penetrimi i internetit është rritur me më shumë se dy herë.

Shqipëria është një ndër vendet me rritjen më të shpejtë përdorimit të internetit në Europë dhe sipas ITU numri i përdoruesve për vitin 2010 ishte 1.3 milionë. Me këtë shifër, Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë Malit Zi, që regjistron një penetrim interneti në masën 44.1%.

Serbia, Maqedonia dhe Kroacia kryesojnë klasifikimin rajonal të përdorimit të internetit dhe që të gjitha kanë një normë penetrimi më të lartë se 50%. Ndërkohë, statistikat e ITU nuk janë të përditësuara për Kosovën.

Të dhënat më të fundit i takonin vitit 2008, kur interneti përdorej në masën 20.8% të totalit të popullsisë, ose gjithsej rreth 380 mijë përdorues. Për të kuptuar diferencën me vendet e Bashkimit Europian, mund të themi se penetrimi mesatar i internetit për të gjithë Unionin është 67.6%. Kryesimin në Europë e mban Suedia, ku 92.6% e popullsisë janë përdorues të internetit.