Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 19:00

Tiranë – Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, firmosi sot me përfaqësuesit e dy kompanive italo- shqiptare kontratat e Bashkëfinacimit për Projektet CDM në sektorin e energjisë, me vlerën 5 milionë euro grant.

Këto projekte zbatohen sipas “Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Reduktimin e Emetimeve të Gazit me Efekt Serë” mes ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe asaj Italiane të Mjedisit, Tokës dhe Detit të Italisë. Vlera kumulative e financimit arrin në 2.7 milionë euro grant.

Sipas marrëveshjes, qeveria italiane ka dhënë një grant me vlerë 5 milion Euro për  bashkëfinancim të  projekteve CDM (Clean Development Mechanism), që do të zbatohen në Shqipëri për efiçiencën e energjisë dhe për energjitë e rinovueshme. Projektet CDM parashikohen në procedurat e Protokollit të Kiotos, ku Shqipëria është palë nënshkruese e aneksit B.

Ministri i METE, Nasip Naço, falënderoi qeverinë italiane për ndihmën dhënë vendit tonë, në projektet  ambicioze energjetike dhe garantoi se Shqipëria do të sigurojë mbështetje dhe angazhim maksimal për çdo investitor të huaj gjatë  realizimit të projekteve të tyre në Shqipëri.