Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 13:57

Tiranë – Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) vendosi rritjen e pagave 9.300 mjekë dhe infermierë të shërbimit shëndetësor parësor.

Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, deklaroi se, për mjekët, rritja e pagave do të jetë nga 2% deri në 5%, në varësi të pozicionit gjeografik ku shërbejnë, ndërsa për infermierët pagat do të rriten në masën 3%.

Sipas Hanës, në vlerë absolute, pagat për mjekët e zonave qendrore do të rriten me 2.500 lekë, ndërsa pagat e mjekëve që punojnë në zonat malore, që aktualisht paguhen më shumë për efekt të vështirësisë, do të rriten me 1.500 lekë.

Për infermierët, pagat do të rriten me 1.000 lekë. Efekti financiar i vendimit do të jetë rreth 72 milionë lekë dhe rritja e pagave do të llogaritet që nga data 15 korrik e këtij viti. (LajmeShqip.com)