Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 16:45

Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) kërkon që spitalet ose vetë mjekët të sigurohen për dëmtimet që mund t’ju shkaktojnë pacientëve.

Për dëmtim të organeve të pacientit gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, gjykatat kanë dhënë tre vendime me detyrim pagim gjobe në vlerë totale prej 38 milionë lekë.

Këto para janë paguar nga buxhetet e spitaleve, pikërisht ai i Vlorës dhe i Lushnjes.

Por, Elvana Hana, Drejtore e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, shprehet se nuk është e drejtë që fonde të buxhetit të spitalit, të llogaritura për investime, apo blerje pajisjesh të përdoren për të paguar gjoba.

Ka dy mënyra ose spitali të ketë një fond të veçantë sigurimi për këto raste, ose çdo mjek të paguajë policë sigurimi.

Sipas nënkryetarit, Tritan Shehu, Komisioni parlamentar i Shëndetësisë është i gatshëm të pranojë propozimin e ISKSH për hartimin e një ligji për krijimin e policave të sigurimit, në rastet kur një mjek dëmton shëndetin e pacientit.

Në të gjitha vendet e Europës, mjekët paguajnë një policë sigurimi gjatë karrierës së tyre profesionale dhe nëse ndodh që një pacient të ankohet për të, gjobën e paguan shoqëria e sigurimit.

Pacientët shqiptarë po sensibilizohen gjithnjë e më shumë për të drejtat e tyre. Për këtë arsye, edhe numri i vendimeve të gjykatës që i japin të drejtë pacientit, për rrjedhojë dhe gjobat pritet të jetë në rritje.