Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 23:27

Një vit më parë në të njëjtën periudhë kohore, pas kaskadave në veri, vetë liqeni ishte një nga shkaktarët kryesorë të përmbytjes së mbi 40% të qytetit të Shkodrës. Por kjo një vitë më parë pasi në ditët e sotme mungesa e reshjeve ka ndikuar ndjeshëm në uljen e nivelit të ujit të liqenit të Shkodrës, çka është shoqëruar me një tkurrje të ndjeshme të sipërfaqes ujore së këtij liqeni.

Në këto kushte, një pjesë e mirë e cila më përpara ka qënë e mbuluar me ujë, madje me thëllësi të mëdha, tani është shndërruar në një sipërfaqe të mirëfilltë toke.

Një tërheqje e tillë e nivelit të ujit është e pranishme gjatë të gjithë bregut të tij, por më së shumti, kjo vërehet në pjesen kufizuese me zonën periferike të qytetit të Shkodrës.

Teksa në periudhën e dimrit të kaluar, fryerja e pazakontë e liqenit të Shkodrës, përmbyti të gjithë zonën periferike e më gjërë, madje duke mbajtur të rrethuar për një kohë të gjatë me dhjetra shtëpi banimi, tani niveli i ujit ka rënë aq shumë sa ka ka dalë në shesh një sipërfaqe e konsiderueshme toke duke krijuar idenë se këtu nuk ka pasur ndonjëherë ujë.

Banorët e kësaj zone, por edhe pjesëtarë të organizatës së menaxhimit të peshkimit me qëndër në Shirokë, thonë se një situatë e tillë nuk kish ndodhur prej kohësh.
Situata e tillë ka krijuar probleme me mjedisin, sepse pas tërheqjes së ujit, janë evidentuar papastërti të shumta, mbetje të ngurta të hedhura pa kriter në liqen, deri edhe shpend e kafshë të ngordhura që mund të provokojnë ndonjë epidemic të munshme.

Në një vëzhgim të bërë gjatë mesditës së sotme në pjesen e derdhjes së liqenit për në lumin Buna, nuk ishte e vështirë të dalloje problematiken e rënies së ndjeshme të nivelit të ujit.

Mjafton të bësh një xhiro në rrugën pedonale nga derdhja e liqenit deri tek ura e Bunës, dhe dallohet qartë se në ç’gjendje ndodhet sot liqeni i Shkodrës. Aty ku deri vonë mund të shijoje kënaqësinë e ajrit të pastër të liqenit, tani duke i shtuar edhe derdhjet e ujrave të bardha në të, situata bëhet shumë e pakëndshme.

Uljen e nivelit të ujit, më mirë se kushdo e ndjejnë edhe peshkatarët amatorë të qytetit, të cilët në gjendjen normale të liqenit, gjuetinë e tyre e bënin nga parmakët e rrugës së molos duke e pasur ujin krejt pranë, vetem pak centimetra poshtë nivelit të rrugës, ndërsa tani, atyre i duhet, jo vetem të zbresin poshtë rrugës, deri në tre metra lartësi, por të futen edhe shumë më tepër në thellësi për t’ia hedhur grepin peshkut në ujë.

Situata ka krijuar probleme të shumta edhe për gjallesat nën ujore, e sidomos për krapin karakteristik të këtij liqeni, i cili po largohet çdo ditë e më tepër.

Këtë e konfimon edhe Gac Gocaj, kryetari i shoqatës së peshkatarëve të liqenit të Shkodrës, i cili bën të ditur se rendimenti i gjuetisë së peshkut në liqenin e Shkodrës muajt e fundit ka rënë ndjeshëm.

Nëse edhe ditët në vazhdim do të vijojnë të jenë me këtë situatë të pahasur ndonjëherë, kur edhe pse jemi në mes të nëntorit, mungesa e reshjeve ka bërë që thatësira të jetë si ajo e pikës së veres, problemet në liqenin e Shkodrës pritet të jenë edhe më të shumta.

Nëse organizmat përkatës, shtetërorë dhe sidomos ato të shoqatave të shumta joqeveritare që pandërprerësisht konsumojnë shuma marramendëse financiare në projektet e tyre me objekt liqenin, nuk ndërhyrjnë për ta shpëtuar atë nga kjo situatë e tillë alarmante, duket se dalngadalë si pa u ndjerë, ai do marrë rrugën e kënetëzimit.