Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 16:25

Bursat europiane pësuan të gjitha rënie ditën e martë, ndikuar nga frika për rritje të ulët ekonomike, të dhënat zhgënjyese të ekonomisë amerikane dhe rënia e importeve prej Kinës.

Të martën, bursa franceze “Cac 40” pësoi një humbje të ndjeshme prej 1,5%, ndërsa britanikja “FTSE 100” dhe gjermania “DAX” humbën pothuajse 1%, secila. Më e goditura ishte bursa e Milanos, e cila e ndikuar nga raportet që parashikojnë një tremujor të ri recesioni për ekonominë italiane, humbi 3% të vlerës së saj.

Janë disa arsyet për këtë rënie të besimit tek investitorët, midis të cilëve edhe rënia e importeve prej Kinës. Një raport nga Organizata Ekonomike për Bashkëpunim dhe Zhvillim dha interpretime të ndryshme.

OEBZH identifikoi “disa pika kthese në ekonominë e Eurozonës dhe zhvillime të rëndësishme nga ekonomitë e tjera të mëdha, sidomos në SHBA dhe Japoni”.

Duke u përqendruar në ekonominë europiane, vlerësohej se “Gjermania dhe Britania po shfaqin një moment pozitiv dhe shpresëdhënës për një rritje të vazhdueshme, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Francën dhe Italinë, ku ekonomia vazhdon ta ketë të vështirë të regjistrojë rritje.

Rënia e interesit të investitorëve u ndikua edhe nga publikimi i të dhënave të Departamentit të Punës në SHBA, që tregonin një rënie të ndjeshme në numrin e punësimeve të reja, në vetëm 120 mijë gjatë marsit, nga 200 mijë që kishte qenë mesatarja e katër muajve të ardhshme.

Të dhënat rrisin frikën mbi mundësinë e një ngadalësimi të ekonomisë më të madhe në botë, që do të kishte rrjedhoja të rëndësishme negative edhe në krizën që po përjeton Eurozona.