Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 16:26

Tiranë – Investimet e huaja kompensojnë rënien e dërgesave të emigrantëve. Të paktën për vitin 2010 objektivi duket i arritur. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë treguan se investimet e huaja direkte për vitin e kaluar shënuan vlerën rekord të 837 milion eurove.

Kjo përbën një rritje prej 23% krahasuar me vitin 2009 dhe është vlera më e lartë e investimeve të huaja vjetore e regjistruar nga statistikat zyrtare.

Ashtu siç parashikohej, dërgesat e emigrantëve vazhduan rënien edhe në vitin 2010. Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e tyre ishte 690 milion euro, me një rënie prej 11.6% krahasuar me vitin 2009. Remitancat po bien në mënyrë të vazhdueshme që prej vitit 2007, kur shënuan edhe pikun e viteve të fundit.

Në tërësi, bilanci i pagesave për vitin 2010 paraqitet pozitiv në vlerën e 179 milion eurove dhe ndjeshëm i përmirësuar krahasuar me vitin 2009, kur ishte negative për 32 milion euro. Kontributi vjen kryesisht nga investimet e huaja direkte, ndërkohë që bilanci tregtar dhe në tërësi llogaria korrente e vendit vazhdojnë të jenë thellësisht defiçitarë, ndonëse në përmirësim krahasuar me vitin 2009. Defiçiti i llogarisë korrente ka rënë  me 23% në 1 miliard euro, ndërsa defiçiti tregtar ra në në rreth 2.1 miliard euro, afro 9% më pak se në vitin 2009.