Lajme Shqip Thursday, 04 August 2011 15:05

Tiranë – Kryeministri Berisha ftoi sipërmarrësit kinezë të investojnë në Shqipëri. Këtë deklaratë kreu i ekzekutivit e ka bërë gjatë pritjes së Ministrit të Punëve të Jashtme të Kinës, Yang Je Chi. Kryeministri theksoi se, investitorët kinezë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe se Qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme.

Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, Kryeministri Berisha, u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze, si dhe inkurajoi investime në infrastrukturën portuale.

Duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor dhe në fusha të tjera me interes reciprok, ministri Je Chi u shpreh se, Qeveria kineze synon që këto marrëdhënie të bazohen në një partneritet me interes reciprok. Ai u shpreh se nisja e një turi vizitash në disa vende, me Shqipërinë, dëshmon rëndësinë që Qeveria kineze i jep marrëdhënieve midis dy vendeve. (Lajmeshqip.com)