Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 15:30

“Facebook”, rrjeti më i madh social në botë, pritet të përfitojë rreth 5 miliardë dollarë nga shitja e aksioneve në bursë. Kjo do të jetë shitja më e madhe e aksioneve nga një kompani e shërbimeve të internetit. Ajo çka i jep një vlerë kaq të madhe tregu “Facebook” është në thelb informacioni i rreth 845 milionë njerëzve që e përdorin rrjetin në mënyrë të rregullt dhe mjaft intensive.

Ky informacion, që përdoruesit hedhin në rrjet, është burim i madh fitimesh, por edhe rreziqesh për vjedhjen dhe shpërdorimin e tij. Informacioni i mbledhur në internet mund të përdoret për të cënuar financiarisht dhe fizikisht përdoruesit. Mes tyre, fëmijët janë padyshim më të pambrojturit nga rreziqet e internetit dhe komunikimit virtual. Sot në Tiranë u mbyll java e internetit të sigurt. Ambasadori i Unicef-it, Detlef Palm, bëri thirrje për të rritur përpjekjet për ndërgjegjësimin e fëmijëve për rreziqet që mund të vijnë nga internet. 

“Sot, 80% e fëmijëve që kanë akses në internet, e përdorin atë përmes kompjuterave të shtëpisë dhe telefonave celularë. Shumë nga informacionet që fëmijët japin në rrjet mund të shfrytëzohen nga njerëz me qëllime të këqija. Një ndër rreziqet kryesore që raportohen sot nga fëmijët që përdorin internetin është komunikimi elektronik me njërëz që nuk i njohin. Për fat të keq, në Shqipëri, përdorimi i filtrave apo i programeve të kontrollit prindëror është i ulët,” tha Palm.

Gjatë një aktiviteti me praninë e nxënësve, mësuesve dhe prindërve, ministri i Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, kërkoi një rritje të përdorimit të formave të kontrollit prindëror. Nga data 7 deri në 17 shkurt u zhvillua fushata për një internet të sigurt, me përmbajtje aktivitetesh edukuese dhe ndërgjegjësuese. Palët e interesit, duke filluar nga vetë drejtuesit e institucioneve, pranuan se në Shqipëri është bërë pak për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtja dhe komunikimi i papërshtatshëm në internet. (LajmeShqip.com)