Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 10:27

Interneti ju kushton shqiptarëve afro tre herë më pak se në vitin 2008. Sipas të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve, ITU, kosto e lidhjes bazë të internetit me brez të gjerë në vitin 2010 zinte 3.2% të të ardhurave mujore për frymë.

Në vitin 2008 ky tregues ishte 9.2%. Krahasuar me vendet e tjera të Rajonit, Shqipëria ndodhet tashmë pranë vlerave mesatare. Vetëm në Kroaci dhe në Serbi kosto e lidhjes bazë të internetit është më e ulët, ndërkohë që në Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje pagesa e internetit zë një pjesë më të madhe të të ardhurave mujore për frymë.

Rënia e çmimeve të internetit konstatohet edhe në një raport paralel të Autoritetit shqiptar të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Sipas AKEP-it, tarifa për një lidhje internet optimal, 2 Megabit/sekondë, në Shqipëri është pranë niveleve mesatare të vendeve të Rajonit. Kështu, për operatorin me fuqi të ndjeshme, Albtelecom, kjo lidhje kushton 25.7 euro, nga 25.1 euro që është mesatarja e rajonit për këtë kategori operatorësh.

Ndërsa tarifa mesatare e operatorëve alternativë shqiptarë për të njëjtën lidhje është 20.7 euro, në një kohë kur mesatarja rajonale është 22.9 euro.

Rritja e investimeve si nga Albtelecom, ashtu edhe nga operatorët alternativë, ka rezultuar me një konkurrencë në rritje, çka ka sjellë edhe ulje të çmimeve të internetit.

Megjithë përmirësimet e bëra, në Rajonin e Ballkanit interneti ngelet më i kushtueshëm për xhepat e njerëzve krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, ku lidhja e internetit zë më pak se 1% të të ardhurave mujore.