Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 20:00

Tiranë-Rritja e konkurrencës në tregun e internetit ka sjellë përfitime në shtimin e numrit të përdoruesve dhe në uljen e tarifave. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, bën të ditur se në fund të vitit 2011 numri i lidhjeve të internetit me brez të gjerë arriti në 6.2 për 100 banorë, nga 3.7% që ishte në fund të vitit 2010.

AKEP vlerëson se janë 161 mijë familje dhe 13 mijë biznese që përdorin lidhje interneti broadband. Duke ju referuar informacionit të AKEP, tarifat e internetit kanë rënë poshtë mesatares rajonale.

Tarifa për një lidhje me shpejtësi 2 Mbps në Shqipëri është mesatarisht 20.7 euro, ndëkohë që mesatarja rajonale është 22.9 euro.

Sipas regjistrit të sipërmarrësve të AKEP, shërbimet e internetit ofrohen nga mbi 150 subjekte, por vetëm 8 prej tyre kanë një pjesë domethënëse të tregu në nivel kombëtar, duke përfshirë këtu edhe dy operatorët 3G, AMC dhe Vodafone Albania.

Albtelecom vazhdon të jetë operatori më i madh, me rreth 35% të tregut sipas numrit të abonentëve. Megjithatë, për shkak të konkurrencës në rritje, Albtelecom ka pësuar një ulje të numrit të abonentëve me 15% gjatë vitit të kaluar. Në rritje të fortë paraqiten shoqëritë Abcom dhe ASC, që e kanë rritur numrin e abonentëve përkatësisht me 116% dhe 79%.

Aktualisht, Abcom është operatori i dytë më i madh me 17% të tregut të internetit me brez të gjerë, ndërsa ASC renditet e katërta me 7%. Një kontribut në rritjen e përdorimit të internetit ka dhënë edhe licencimi i teknologjisë 3G.

Vodafone Albania ka deklaruar rreth 25 mijë abonentë interneti broadband, duke zënë rreth 15% të tregut, ndërkohë që AMC e nisi ofrimin e shërbimeve 3G vetëm në fund të vitit 2011, kur raportonte 9 mijë abonentë. (LajmeShqip.com)