Lajme Shqip Thursday, 26 April 2012 19:10

Tiranë – Një linjë e re interkonjeksioni Tiranë-Shkup, ndërtimi i së cilës është tashmë e projektuar, pritet të rrisë shkëmbimin e energjisë në tregjet e vendeve të rajonit të Ballkanit.

Sot, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço priti dhe diskutoi me përfaqësues të kompanisë bullgare EMU a.d. Targovishte, e cila ka shprehur interes për në fushën e privatizimit të HEC-eve dhe marrjen me koncension të linjës së interkonjeksionit Tiranë -Shkup. Ministri Naço i njohu përfaqësuesit e kompanisë bullgare me arritjet që ka Shqipëria në fushën e energjisë dhe mundësitë që ofron në këtë sektor, thanë sot burime zyrtare të METE-s. 

Duke shprehur kënaqësinë për interesimin e kompanive të huaja për të investuar në sektorin e energjisë, ai afroi edhe mbështetjen e tij për ndërtimin sa më shpejt të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup, që kompleton rrjetin e transmetimit të energjisë së Shqipërisë me rajonin. Ministri Nasip Naço ftoi kompaninë EMU që të konkurrojë për konçensionin e linjës së interkonjeksionit Tiranë-Shkup, duke siguruar se gara do të jetë e hapur dhe transparente.

Pas ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë 400 Kv, po vijon zhvillimi i projekteve të tjera në këtë sektor, ndër të cilët linja Tiranë-Prishtinë dhe së fundi dhe linja më e re Tiranë-Shkup. Linja e interkonjeksionit 400 Kv Tiranë-Shkup do të jetë pjesë e infrastrukturës së Rrugës së Arbërit dhe Korridorit 8. (LajmeShqip.com)