Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 16:14

Tiranë – Interesat e Bonove të Thesarit lëvizin në rënie. Në ankandin e  zhvilluar këtë javë, Bonot me afat maturimi 12-mujor u emetuan me një normë të ponderuar interesi prej 7.67%, nga 7.69% që ishin në ankandin e mëparshëm. Vlera e Bonove të emetuara ishte 3.4 miliardë lekë dhe oferta për financim 5.9 miliardë.

Ndërsa Bonot me afat maturimi 6-mujor u emetuan me një normë të ponderuar interesi prej 6.78%, nga 6.82% që ishte në ankandin paraardhës. Vlera e borxhit të marrë ishte 4.7 miliardë lekë, nga të cilat 4 miliardë lekë u financuan nga Banka e Shqipërisë me ofertë jo konkurruese. Ajo që bie në sy në ankandet e fundit është se shuma e borxhit të marrë nga Qeveria është në ulje. Kjo është edhe arsyeja kryesore që ka sjellë ulje të interesave.

Pas shpenzimeve të mëdha në gjysmën e parë të vitit, Qeveria vendosi të rishikonte buxhetin për të mbajtur nën kontroll borxhin. Për këtë arsye, shpenzimet për vitin 2011 u shkurtuan me rreth 19 miliard lekë. Pas ristrukturimit të buxhetit, qeveria do të kërkojë më pak borxh në gjysmën e dytë të vitit.

Nga ana tjetër, sistemi bankar zotëron likuiditete në sasi të mëdha dhe kjo pritet që të sjellë ulje të interesave të Bonove. Një tendencë në rënie e interesit të Bonove të Thesarit, do të ndikojë në interesa më të ulëta për kreditë afatgjata në lekë. (LajmeShqip.com)