Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 08:33

Tiranë – Defiçiti tregtar ka shënuar ulje gjatë muajit shkurt. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, tregtia e jashtme paraqitet me tregues mjaft pozitivë dhe në rritje.

Specialistja e Tregtisë së Jashtme në INSTAT, Alma Mezini, deklaroi se për muajin shkurt ka pasur një rritje të eksporteve me 35.7 për qind dhe si rezultat ulje të deficitit tregtar.

Ndërkohë që nëngrupi i cili ka pasur rritjen më të madhe me rreth 97.7 për qind ka qenë nëngrupi i energjisë, lëndëve djegse dhe mineraleve.

Në krahasim me janarin e 2011 rritje me 4.1 ka pësuar edhe importi i mallrave me akcizë. Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë vazhdojnë që të mbeten Italia dhe Greqia.

Statistikat tregojnë se në shkurt 2011 u eksportuan 20,049 mln lekë mallra, me rritje 35.7 për qind në krahasim me një muaj më parë dhe rritje me 77.4 për qind në krahasim me shkurt 2010. U importuan 37,733 mln lekë mallra me rritje 7.2 për qind në krahasim me Janar 2011 dhe rritje 17.9 për qind në krahasim me Shkurt 2010.

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 17,684 mln lekë, duke shënuar një ulje prej 13.4 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 14.5 për qind krahasuar me Shkurt 2010.

Tregtia me vendet e BE ze 59.6 për qind të totalit. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 39.7 për qind dhe importi 28 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 4 për qind dhe importi 12.2 për qind.

Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë për eksportin, Austria, Britania e Madhe, Greqia, Italia, Turqia, etj, dhe për importin, Greqia, Gjermania, Italia, Kina, Zvicra, etj.

Sipas INSTAT, eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u rrit 97.7 për qind, “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 36.4 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 13.4 për qind, etj. Eksporti i grupit “Produkte kimike dhe plastike” u ul 31.6 për qind, etj.

Importi i grupit “Ushqime, pije, duhan” u rrit 37.4 për qind, “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 18.7 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 13.8 për qind, etj. Importi i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u ul 2.2 për qind, etj.

Në Shkurt 2011, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 4,718 mln lekë, duke zënë 12.5 për qind ndaj totalit të importit.