Lajme Shqip Wednesday, 14 March 2012 13:38

Duke lavdëruar punën e qeverisë në rregullimin e tregjeve, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha vendosi theks të veçantë te çmimet e barnave.

Ai përmendi një listë barnash që, sipas tij, kanë pësuar një rënie të ndjeshme të çmimeve krahasuar me vitin 2008, pa harruar të përgëzonte Ministrinë e Shëndetësisë për punën e mirë të bërë në këtë drejtim.

Por, po t’i referohemi një informacioni më të plotë dhe më të specializuar, ecuria e çmimeve të barnave në tërësi, nuk është ajo që pretendon kryeministri.

Sipas Institutit të Statistikave, indeksi i çmimeve për nëngrupin “Medikamente dhe produkte të tjera farmaceutike” që nga viti 2008 ka ardhur vetëm në rritje. Rritja ka qënë më e theksuar veçanërisht në vitin 2010, kur indeksi i çmimeve për barnat u rrit me 6.8%, ndërsa në vitin 2011 rritja ishte 4.9%.

Sipas Instat, ulje e lehtë e çmimeve të barnave u konstatua vetëm gjatë viteve 2006 dhe 2007.

Por, më shumë se masave për rregullimin e tregut, kjo ulje i detyrohet vendimit për të ulur marzhet e fitimit të tregtarëve të produkteve farmaceutike, marzhe që janë të përcaktuara me ligj.

Kryeministri nuk është i pari zyrtar i lartë që evidenton uljen e çmimit të barnave si një nga arritjet e qeverisjes.

Jo më larg se një vit më parë, edhe Ministri i Financave ka pohuar këtë fakt, në mbrojtje të vendimit për të vendosur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për barnat. Sipas tij, vendosja e TVSH do të bënte që tregtarët të deklaronin çmime më të ulëta blerjeje dhe kjo do të sillte çmime finale më të ulëta.

Ky argument i ministrit të Financave vështirë se gjen mbështetje, qoftë edhe në teori.

TVSH është një tatim indirekt, pra, që paguhet nga konsumatori fundor dhe jo nga tregtari.

Kjo vlen sidomos për produkte si barnat, kërkesa për të cilat është shumë pak elastike.

Elasticiteti i ulët i kërkesës do të thotë se në shumicën e rasteve përdoruesi është i detyruar ta blejë një produkt, pavarësisht nga rritja apo ulja e çmimit. Ndaj vendosja e TVSH-së nuk përbën ndonjë kosto për tregtarët, por për përdoruesit e barnave.