Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 18:45

Tiranë – Në 3-mujorin e fundit 2011, importi i automjeteve u rrit ndjeshëm, si pasojë e taksës së ndotjes, e cila ndërsa më parë paguhej në doganë, tashmë paguhet me këste tek kolaudimi i tyre.

Heqja e Doganës për mjetet nga importi përmes formulës së re të pagesës së taksës së ndotjes, bëri që në periudhën tetor-dhjetor 2011 të importoheshin rreth 19 mijë automjete, nga rreth 4 mijë automjete në të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Sipas INSTAT-it, gjatë gjithë vitit 2011 hynë në vend mbi 32.000 makina nga vetëm 16.000 që patën hyrë në vitin 2010.

Nga viti 2004 qytetarët ishin të detyruar të paguanin taksë ndotjeje për importimin e makinave të vjetra, e cila dyfishonte koston për makinat e përdorura, çka ndikoi në përdorimin e mjeteve të vjetra, që sjellin edhe ndotje të madhe në mjedis për shkak të amortizimit të tyre.

Për këtë arsye, që kishte bllokuar tregun e automjeteve, vjet qeveria e hoqi këtë taksë nga importi i makinave, e cila paguhet e ndarë në këste vjetore, të cilat paguhen tek kolaudimi i detyrueshëm vjetor.

Për pasojë, sot një makinë 10-vjeçare kushton deri në 4 mijë euro, nga 6 mijë euro që kushtonte deri vjet. Në  Shqipëri llogaritet se janë 135 automjete për mijë banorë, nga 500-600 automjete për mijë banorë që ka në vendet e BE-së.