Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 18:00

Tiranë- Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë një tendencë negative të punësimit në vend.

Në tremujorin e tretë të vitit 2011, shumica e sektorëve kryesorë të ekonomisë kanë regjistruar një rënie të numrit të të punësuarve. Numri i të punësuarve në industri ka rënë me 1.5% krahasuar me një vit më parë.

Në ndërtim, punësimi ka rënë me 8.9% krahasuar me një vit më parë. Në tregtinë me shumicë numri i të punësuarve ka rënë me 1.3%, ndërsa në sektorin e hotelerisë punësimi ka rënë me 9%. Të vetmit sektorë që kanë regjistruar rritje të punësimit janë postat dhe telekomunikacionet, përkatësisht me 0.6% dhe 2.7%.

Të dhënat për punësimin janë një tjetër shenjë e keqe për performancën ekonomike të vendit. Por, ajo që bie në sy është pasqyra kontradiktore që Instat i bën realitetit të punësimit në vend. Në Bilancin e Forcave të Punës, që është raporti kryesor për gjendjen e punësimit në vend, Instat raporton për një punësim në rritje.

Më konkretisht, në Bilancin e Forcave të Punës për tremujorin e tretë 2011, Instat regjistron afro 930 mijë të punësuar, me një rritje 1.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në një kohë që, sipas Regjistrit Statistikor të Ndërmarrjeve, punësimi ka rënë në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, Bilanci i Forcave të Punës paraqet një rritje të punësimit.

Dhe jo vetëm kaq, por rritja e punësimit raportohet të ketë ardhur pikërisht nga sektori privat jobujqësor, që në fakt, sipas raportit tjetër të Instat, rezulton me një prirje të qartë rënëse të numrit të të punësuarve. Statistikat e Instat vazhdojnë të shfaqin kontradikta të thella dhe besueshmëria e tyre është mjaft e dyshimtë