Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 18:37

Londër – Ekonomia botërore është në skaj të një recesioni të ri dhe më të thellë në punësim, i cili mund të nxisë pakënaqësi sociale në shumë pjesë të botës dhe paraqitje të kryengritjeve dhe trazirave, paralajmëroi sot Organizata botërore e punës (ILO).

Sipas vlerësimeve të ILO-s, të dhëna në raportin vjetor të kësaj organizate, do të nevojiten “së paku pesë vite” në mënyrë që punësimi në botë të mund të kthehet në nivelin para krizës së tanishme.

Hulumtimi që e bëri ILO zbulon se në 45 vende, nga gjithsejt 118 sa janë hulumtuar, është vërejtur rritja e rrezikut nga shprëthimi i trazirave dhe kryengritjeve sociale.

Ekspertët e Organizatës botërore të punës konsiederojnë se rikuperimi i ngadalësuar i ekonomisë globale po e godet rëndë tregun e punës dhe punësimin e përgjithshëm. Ata vlerësojnë se në dy vitet e ardhshme do të nevojitet të hapen madje 80 milionë vende të reja të punës, në mënyrë që punësimi të kthehet në gjendjet para krizës, por në kushte të tanishme në të cilat ndodhet ekonomia në botë, do të mund të hapen vetëm rreth 40 milionë vende të punës, që nuk mjafton prë stabilizimin e tregut të punës dhe për parandalimin e rrezikut nga shpërthimi i pakënaqësisë sociale.