Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 08:00

Tiranë – Kryebashkiaku Lulzim Basha, tha të mërkurën në mbrëmje në një intervistë televizive, se brenda këtij viti, do të marrë zgjidhje procesi i hipotekimit të pallateve të përfunduar në Tiranë.

Kjo është nismë, tha Basha, që ka nisur në bashkëpunim me institucionet e linjës duke i dhënë zgjidhje, dhënies së lejeve të regjistrimit dhe hipotekimit të banesave, si një shërbim i munguar për qytetarët e Tiranës.

Këto 124 objekte përfaqësojnë një blerje kapitale, që i jep secilës prej këtyre familjeve mundësi për t’a përdorur. Ne jemi të vendosur për të ecur përpara, deklaroi Basha, duke shtuar se procesi i dhënies së hipotekave ka tre faza për rreth 20 mijë apartamente në Tiranë, që prekin rreth 80 mijë qytetarë.

“Do e mbyllin këtë vakum, duke lënë kolaudatorët të bëjnë punën e tyre, kjo fazë është komplekse, kërkon burime njerëzore me përvojë. Kjo fazë vijoi edhe në muajin shkurt. Asnjë objekt nuk do mbetet pa leje shfrytëzimi”, përfundoi Basha.

Realizmi i procesit të dhënies së hipotekave i jep fund privimit të padrejtë nga titulli i pronësisë për mijëra familje dhe qytetit, nga një shumë prej deri në 700 milionë euro, shuma kolaterale që përfaqësojnë këto apartamente të pahipotekuara në Tiranë.

Problemi me hipotekat e pallateve është trashëguar për shkak se Bashkia e Tiranës, ishte ajo që krijonte pengesa në këtë proces, pasi refuzonte dhënien e lejeve të shfrytëzimit, duke bllokuar hapat e mëtejshme drejt regjistrimit të pronës. Nga ana tjetër, edhe pronarët e këtyre pallateve ishin të pa interesuar për të hipotekuar pallatet e tyre, për shkak të zhdëmtimit monetar që duhet të paguanin, duke lënë kështu pa tapi qindra e mijëra banorë të kryeqytetit.