Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 14:45

Tiranë – Biznesi me fason mirëpriti vendimin e një ditë me parë të Task Forcës për heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet.

Kryetari i Dhomës së Fasonistëve, Gjergji Gjika, tha në një prononcim se një vendim i tillë e lehtëson shume këtë biznes dhe e bën më të aftë për të qënë konkurrent në tregjet ndërkombëtare, si dhe krijon një klimë më të mirë për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Konkurrenca në rajon është rritur shumë dhe Shqipëria ka qënë një ndër vendet e preferuara nga investitorët e huaj sa i takon biznesit me fason për shkak të pozitës së saj gjeografike që është afër tregjeve europiane”, theksoi Gjika.

Sipas tij, konkurrenca në rajon ka ardhur gjithmonë në rritje dhe një masë e tillë bën që ky biznes të ketë më tepër fonde në dispozicion për të investuar, pasi heqja e TVSH-së prej 20 % për makineritë e pajisjet u jep fonde të lira për të përballuar investime shtesë.

Bizneset e fasonit prej më shumë se një vit e gjysëm i kanë kërkuar qeverisë heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet.

Bizneset e fasonit janë eksportuesit më të mëdhenj në vend, me mbi 50 për qind të totalit të eksporteve. Por vitin e fundit, eksporti i produkteve me material gjysmë të gatshëm ka shënuar një rënie të ndjeshme.

Task Force-s Rregullatore, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, vendosi dje heqjen e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importit, vendim ky në kuadër të përmirësimit te mëtejshëm të klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Një javë më parë, Kryeministri Berisha nisi takimet me përfaqësues të biznesit, me qëllim parashtrimin dhe konsultimin me biznesin të një pakete të re reformash, për ta bërë më kompetitive ekonominë shqiptare. Ky ishte takimi i parë, që, siç theksoi Kryeministri, do të vazhdojë me takime të tjera konsultimesh e dialogu konstant të qeverisë me përfaqësuesit e biznesit, sipas fushave të zhvillimit.