Lajme Shqip Wednesday, 25 April 2012 10:41

Tiranë – Prodhimi i energjisë nga hidrocentralet e dhëna me qera dhe ato të ndërtuara me konçension vlerësohet një burim i mirë për përballimin e kërkesës vjetore në rritje për energji nga të gjithë konsumatorët, pavarësisht kategorive të tyre.

Ndonëse viti 2011 u karakterizua nga prodhim i ulët vjetor i energjisë elektrike për shkak të thatësirës së zgjatur dhe për pasojë rritjes së importit, prodhimi nga HEC-et e vegjël vendorë arriti në 3,4% të totalit të prodhimit vendas. Kjo shifër rezultoi më e lartë, krahasuar me prodhimin e arritur prej tyre me vetëm 2% në periudhën 2009-2010, ndaj totalit të prodhuar në vend.

Sipas një studimi të ERE-s, në vitet 2009-2010 prodhimi i energjisë nga HEC-et e vegjël shënoi rritjen më të lartë, por vlerësohet se rritja do të vijë në rritje në vitet në vijim.

Ekspertët shpjegojnë se ky vlerësim lidhet me rritjen e normës së shfrytëzimit të burimeve hidrike, që në fakt është shumë më e ulët nga potenciali hidroenergjetik që ka vendi.

Sipas të dhënave zyrtare, sot në Shqipëri janë 287 hidrocentrale të vegjël me pronësi private dhe të dhëna me  konçesion, proçes që ka nisur në vitet 2006-2007, kur u dhanë 40 hidrocentralet e para, me fuqi të llogaritur për prodhim energjie deri në 210 MW.

Rritja e prodhimit të energjisë nga HEC-et private konsiderohet domosdoshmëri, nisur nga kërkesa vjetore që sa vjen e rritet për energji për shkak të zhvillimeve ekonomike, rritjes së rolit të turizmit, ndryshimeve klimatike, etj.

Sipas INSTAT-it, në 4 vitet e fundit kërkesa vjetore për energji është rritur me 25% më shumë.

Duke u vlerësuar dhe një mundësi e mirë për biznesin privat, kërkesat për konçesione në ndërtimin e HEC-eve vendore vijnë në rritje, ndërkohë që Enti Rregullator i Energjisë (ERE) vijon me licencime të reja për tregtimin e energjisë për kompani, të cilat janë drejt përfundimit të ndërtimit me konçesion të hidrocentraleve vendore në zona të ndryshme të vendit.

Një proces licencimi për tregtim energjie ERE ka nisur për rreth 10 firma private që kanë përfunduar ndërtimin e HEC-eve të marrë me konçesion.

ERE licencoi vjet 36 subjekte private për prodhimin dhe tregtimin e energjisë të prodhuar nga hidrocentralet e rinj vendorë dhe për aktivitetin e furnizuesit të kualifikuar të energjisë elektrike.