Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 14:34

Tiranë – Hidrocentralet private realizuan 2% të prodhimit total të energjisë në vend për vitin 2010. Duke ju referuar të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, deri në fund të vitit 2010 ishin gjithsej në prodhim 51 hidrocentrale të vogla, që ju takojnë 19 shoqërive private.

Të gjitha hidrocentralet së bashku kishin një kapacitet të instaluar prej mbi 25 MW dhe prodhuan gjithsej 159 milion kwh energji. Sipas ERE, në vitin 2010 u futën në prodhim 5 hidrocentrale të rinj, me fuqi të instaluar gjithsej 16 MW, çka e rriti kapacitetin e instaluar në hidrocentrale private me rreth 60%. Shoqëritë private të prodhimit të energjisë realizuan gjatë vitit 2010 një xhiro vjetore prej afro 1.2 miliard lekësh, rreth dy herë më shumë krahasuar me vitin 2009.

Për të nxitur nismën private për ndërtimin e HEC-eve me kapacitet deri në 15 MW, qeveria ka autorizuar KESH që ta blejë gjithë energjinë e prodhuar prej tyre me një çmim që llogaritet nga ERE me bazë çmimin mesatar të importit plus një bonus prej 10%. Në tregun e prodhimit të energjisë elektrike veprojnë gjithsej 51 shoqëri, pjesa më e madhe e të cilave prodhojnë energji nga hidrocentralet e vegjël. Numri i hidrocentraleve të vegjël të licencuar deri në fund të vitit 2010 ishte 92, por një pjesë e mirë e tyre ende nuk kanë nisur prodhimin.