Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 18:58

Has – Fundjava dhe fillimi i punës në bujqësi kanë rritur fluksin e lëvizjes përmes doganës së Qafë Prushit që lidh rrethin e Hasit me Kosovën. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, përmes kësaj dogane kanë lëvizur në të dy anët e kufirit 170 persona me 45 mjete të llojeve të ndryshme.

“Në ditët e fundjavës fluksi i lëvizjes rritet ndjeshëm, jo vetëm se shumë banorë furnizohen në tregun gjakovar, por edhe se shumë prej të rinjve përpiqen të gjejnë punë në Gjakovë, kryesisht në ndërtim e në bujqësi”, pohojnë burime zyrtare të policisë së kufirit. Të njëjtat burime saktësojnë se, “duke qenë të dy qytetet pranë njëri tjetrit, vetëm 26 kilometra larg, lëvizja kryhet brenda ditës në të dy anët e kufirit.

Fluksi në rritje i lëvizjes përmes doganës së Qafë Prushit është rrjedhojë se në tregun gjakovar çmimet e mallrave të konsumit janë më të ulta, ndërsa kostoja e transportit të mallrave mjaft e ulët. Po ashtu, në Gjakovë biznesi vendas nis punën për ndërtimin e godinave të reja, gjë që rrit kërkesën për punonjës, fenomen që prej vitesh shfrytëzohet nga banorët e kësaj zone, që gjatë periudhës së verës deri me ardhjen e dimrit punojnë te firmat e ndërtimit të Gjakovës që jo rradhë ndeshin vështirësi në gjetjen e krahut të punës, për shkak të largimit të të rinjve në emigracion.

Është kjo arsyeja që aksi rrugor Krumë – Qafë Prush gjatë kësaj periudhe ka një lëvizje të dendur automjetesh, gjë që bën që edhe procesi i punës të vazhdojë me dy turne.