Lajme Shqip Thursday, 16 February 2012 14:00

Tiranë – “Ka ardhur koha që të kalohet nga mënyra e pagesës me buxhet fiks historik, në pagesë për performancë, që do të thotë pagesë për numrin e pacientëve, ditëqëndrimin në spital dhe cilësinë e shërbimit që ofrohet”, tha sot drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, në konferencën “Përmirësimi dhe zhvillimi i metodave të pagesave në spitale”, mbajtur në Hotel Sheraton, nga ISKSH dhe fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”.

Hana bëri të ditur se, “dy propozimet tona kanë të bëjnë me pagesë me buxhet global për ditëqëndrimi dhe shërbim (pagesë që i jepet për menaxhim spitalit, por bazohet në efektivitetin e shërbimit), si dhe DRG (pagesë për diagnozë), një sistem që e kanë sot shumë spitale europiane të kombinuar me buxhetin global”.

Sipas saj, “metoda aktuale e pagesës në spitale që bazohet në buxhetin historik të shoqëruara me mungesën e autonomisë spitalore dhe nivel jo të mirë menaxhimi, është faktor pengues për stimulimin e ofruesve në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe për rrjedhoje nuk stimulon ofrimin e shërbimeve eficiente dhe me kosto efektivitet”.

“Kjo lloj metode në të njëjtën kohë nuk rrit besueshmërinë e popullatës dhe të pacientëve tek sistemi ynë shëndetësor dhe gjithashtu nuk favorizon një shpërndarje të drejtë të burimeve financiare të bazuara në performancë, në nivele spitalesh apo në popullsinë në cilën ato shërbejnë”, tha Hana. Sipas saj, për të patur efekte maksimale tek shërbimet ndaj popullatës, reformimi i metodave të pagesave në kushtet e sistemit tonë kërkon patjetër që të shoqërohet dhe me ndërhyrje të tjera.

Hana përmendi si ndërhyrje më thelbësore, hartimin e politikave koordinuese midis aktorëve të ndryshëm të përfshira në politikbërje, duke ruajtur balancat midis tyre dhe duke i bërë funksionet e gjithsecilit të qarta, rritjen e shkallës së autonomisë duke aplikuar qasje bashkëkohore për drejtimin e spitaleve, përmirësimin e sistemit të monitorimit të produktivitetit të ofruesve të shërbimeve, etj.