Prishtinë – Serbi i arrestuar për krime lufte, sot, në Dobratin të Lipjanit, është një zyrtar i lartë i partisë SLS, që udhëhiqet nga Sllobodan Petroviq, ministër në Qeverinë e Kosovës.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Eulex-it kanë arrestuar sot një person të dyshuar për krime të luftës. Lajmin e ka konfirmaur edhe zëdhënsja e EULEX-it, Kristina Herodes.
Burimet tona thonë se i arrestuari është Zoran Koliq, nga fshati Dobratin i Lipjanit. Zëdhënsja e Eulex-it tha se i dyshuari akuzohet për vrasje dhe keqtrajtim të civilëve gjatë muajit maj 1999.
Operacioni është bërë nga njesitet speciale të policisë së Kosovës dhe të EULEX-it. Ndërkaq, bastisjet janë bërë në një shtëpi në rajonin e Lipjanit, si pjesë e hetimeve.
Bastisja është autorizuar nga një gjykatës i EULEX-it, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.
Hetimet janë duke u bërë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.