Lajme Shqip Monday, 15 August 2011 15:15

Tiranë – Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës e cila ka hyrë në ditën e 22 të saj, ka rënë në kundërshtim edhe me ligjin e mbrojtjes dhe sigurisë së galerive. Futja në to e personave të paautorizuar që duhet të kujdesen për sigurinë e galerive, ka rënë ndesh me atë që thotë ligji nr. 8741 i datës 15.2.2001 mbi “sigurinë e punës në veprimtarinë minerare”.

 

Sipas ligjit: ”Futja në minierë e specialistëve të pacertifikuar, përbën një shkelje të rëndë”. Në ligj thuhet se, minierat u nënshtrohen kontrolleve teknike të posaçme të Repartit të Inspektim Shpëtimit (RISHM), kur paraqiten rrethana të veçanta, si periudha të gjata të mosvënies në funksionim, për të ruajtur kushtet e sigurisë dhe mënjanimin e të metave që mund të paraqiten. Gjithashtu, në ligj thuhet se, mirëmbajtja e minierës kryehet vetëm nga specialistë të autorizuar të firmës shfrytëzuese, pra në rastin e minierës së Bulqizës, nga kompania “ACR”.

 

I kontaktuar me telefon, administratori i kësaj kompanie, Giga Bedineishvili tha se, specialistët janë dëbuar me dhunë nga zyrat dhe nuk lejohen që të afrohen në ambientet e minierës. Raporti i fundit i RISHM-it theksonte se, situata në minierë ishte tepër e rënduar dhe e rrezikshme, si për jetën e minatorëve, ashtu dhe për vetë sigurinë e galerive.

 

Specialistët e RISHM-it thanë se nuk mund të vazhdohet më me këtë situatë të agravuar. Nga ana tjetër, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Minatorëve, Kol Nikolla, deklaroi se 10 grevistë kanë dalë dhe 10 të tjerë të rinj kanë hyrë në grevën e urisë, duke bërë që situata të ngelet pezull, ose më mirë, të shkojë drejt përkeqësimit. (LajmeShqip.com)