Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 18:30

Tiranë – Internet Kafetë në Shqipëri janë vatra e grabitjes së të dhënave personale për mijëra konsumatorë, deklaron Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, duke vënë në dukje se duhet një Rregullore që të garantojë mbrojtjen e të dhënave personale të klientit.

Në Ditën Ndërkombëtare për Internet të Sigurtë, drejtori ekzekutiv i ZMK-së, Altin Goxhaj, shprehet për mediat se gjendja e abuzimit me internetin është shumë prezente në Shqipëri.

“Me mijëra konsumatorë ndihen të pasigurtë në shërbimin e internet kafeve në të gjithë Shqipërinë pasi administratorët e internet kafeve kanë pushtet të plotë, por të paligjshëm mbi të dhënat personale të klientëve të tyre. Aktualisht vetë kompjuterat e instaluar në këto internet kafe kanë programe të paregjistruara dhe të pasigurta dhe nga ana tjetër në kompjuterat e klientit mund të regjistrohen programe spiune për vjedhjen e të dhënave personale”, tha Goxhaj.

Pranë ZMK-së, sipas tij, kanë ardhur deri tani 18 ankesa për periudhën 2011-2012, por ankimimet janë të gjitha të pashoqëruara me fakte konkrete çka e bën të pamundur trajtimin ligjor të tyre, por kjo ka sjellë nevojën për investigim nga ana e ZMK.

Për këtë qëllim ZMK ka realizuar një monitorim, pjesë e Sondazhit Kombëtar, që do të prezantohet në 15 Mars 2012 në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Konsumatorëve.