Lajme Shqip Monday, 14 September 2015 09:47

Gati gjysma e bizneseve që janë deklaruese të tatimeve nuk janë të pajisura me pajisje fiskale si parashihet me ligj. Llogaritet se deri më tani mbi 20 mijë biznese janë pa arka fiskale. Kështu thonë përfaqësuesit e Bizneseve, kurse përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës nuk kanë ofruar një shifër pavarësisht pyetjeve të dërguara.

Por, edhe pse ka ngecje në fiskalizimin e bizneseve në përgjigjen e ATK-së, të dhënë gazetës, thuhet se janë në rrugë të mirë të implementimit dhe se numri i fiskalizimeve të bizneseve deri më tani është 22.506

“Sipas planit operativ për vitin 2015, numri më i madh i bizneseve që kanë qarkullim vjetor të ulët priten të fiskalizohen. Projekti i fiskalizimit është vetëm një nga shumë projektet që implementon ATK-ja dhe se jemi në rrugë të mirë të implementimit të tij. Numri i bizneseve të fiskalizuara deri më tani është 22.506, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 29.044. Shikuar nga këndvështrimi i parimeve të riskut Administrata Tatimore me këtë rast ka realizuar objektivat, ka mbuluar atë segment të subjekteve që marrin pjesë në total me mbi 95% bruto të qarkullimit vjetor të përgjithshëm në Kosovë apo që marrin pjesë në rreth 90% të të gjitha të hyrave të deklaruara dhe të paguara nga tatimet”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.

45 mijë biznese, pagues të tatimeve

Por, në anën tjetër Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, ka thënë se prej rreth 45.000 bizneseve, që besohet të jenë deklaruese të detyrimeve tatimore sipas Administratës Tatimore të Kosovës, pothuajse gjysma e tyre nuk janë pajisur me arka fiskale dhe se kjo shifër, sipas tij, duhet të nxisë autoritetet të marrin masa urgjente në këtë drejtim.

“Prej rreth 45.000 bizneseve, që besohet të jenë deklaruese të detyrimeve tatimore sipas Administratës Tatimore të Kosovës, pothuajse gjysma e tyre nuk janë pajisur me arka fiskale dhe kjo shifër duhet të nxisë autoritetet të marrin masa urgjente në këtë drejtim. Luftimi i ekonomisë joformale do të mundësonte krijimin e një terreni të barabartë për afarizëm për të gjitha kompanitë e posaçërisht për ato, të cilat janë të përkushtuara për operim në përputhje me ligjet e vendit. Udhëzimi i ri Administrativ për Licencimin të Arkave Fiskale ka lehtësuar kriteret për licencim dhe ka krijuar kushte të reja për futjen e operatorëve të rinj në treg. Është e qartë që masat ndëshkuese jo gjithmonë sjellin rezultatet e duhura në luftimin e ekonomisë joformale, por megjithatë një qasje më serioze dhe më strikte nga ana e institucioneve të shtetit është më se e nevojshme”, ka thënë ai.

Zeka thotë se ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe ATK-ja që të kenë një përkushtim më të madh në luftimin e ekonomisë joformale.

Rexhepi: Ka dështuar fiskalizimi

Ndërsa Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, ka thënë se shifrat e informalitetit në vend arrijnë deri në 2 miliardë euro apo 34 për qind të GDP-së. Sipas tij, institucionet e vendit kanë dështuar në implementimin e procesit të fiskalizimit. “Shifrat më të reja tregojnë se informaliteti në vend arrin deri në 34 për qind të GDP-së. Shprehur në shifra, do të thotë se ai arrin deri në rreth dy miliardë euro. Nëse flasim për humbjet që ka buxheti, duke llogaritura ngarkesën doganore dhe TVSH-në, kufirin e lartë, atëherë ato mund të jenë deri në 571 milionë euro.

Kjo është një shumë mjaft e madhe, që pa dyshim se do të kishe efekte tejet të mira në buxhet. Mirëpo, duhet ta kuptoni se të gjitha vendet e rajonit kanë probleme me evazionin, madje edhe BE-ja apo edhe vendet e tjera të njohura për shkak të disiplinës fiskale”, ka thënë ai. Sipas tij, këto ngecje po ndodhin si pasojë e mungesë së koordinimit.

“Përderisa ka kaq shumë informalitet, atëherë nuk mund të thuhet ndryshe, pos që është dështim i institucioneve. Megjithatë, unë vlerësoj se nuk mungojnë përpjekjet e Doganës dhe të ATK-së, mirëpo ky problem është kompleks dhe kërkohet angazhim i të gjitha institucioneve të shtetit. Ka ngecje, por edhe mungesë të koordinimit në mes tyre”, ka thënë Rexhepi.