Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 16:22

Tiranë – Në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese u miratuan në parim ndryshimet në projektligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Për herë të parë penalitetet ndaj subjekteve që abuzojnë në masë me konsumatorët, do të përllogariten në bazë të xhiros vjetore të tyre për vitin parardhës. Masa e penalizimit do të jetë 1% deri 2% e xhiros vjetore.

Ndërsa për çdo dëm individual ndaj konsumatorit, penaliteti është rritur deri në 5 herë. Kështu, nëse Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit konstaton se një shoqëri ka kryer veprime abuzive ndaj konsumatorit, gjoba mund të shkojë deri në 500 mijë lekë për çdo rast.

Gjithashtu, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë u shprehën se ndër masat e tjera që mund të merren në të ardhmen ndaj kompanive abuzuese, do të jetë edhe përjashtimi i tyre nga tenderët publikë. (LajmeShqip.com)