Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 13:42

Gjirokastër – Kriza financiare që ka prekur shtetin fqinj të Greqisë, ka bërë që mjaft emigrantë shqiptarë, të cilët jetonin aty prej vitesh, të kthehen në vendlindjen e tyre në qarkun e Gjirokastrës dhe të hapin bizneset e tyre private.

Numri i emigrantëve të kthyer në harkun kohor të një viti dhe të përfshirë në biznes, sipas statistikave zyrtare arrin në mbi 100. Burime zyrtare nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Gjirokastër, pohojnë se mjaft emigrantë të cilët kanë humbur vendet e punës në shtetin fqinj, kanë vendosur që kursimet e tyre t’i investojnë në rajonin jugor me aktivitete private fitimprurëse.

Sipas të njëjtit burim, nga emigrantët e rikthyer ka interesim për hapjen e bizneseve në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë me pakicë, por edhe në atë të fasoneve.

“Politikat fiskale në favor të biznesit që po ndjek qeveria gjatë viteve të fundit, sidomos në heqjen e taksës doganore për lëndët e para që importoheshin, kanë bërë që mjaft prej emigrantëve të kthyer të ngrejnë biznese të përbashkëta me shtetas të huaj, sidomos grekë dhe te investojnë në ndërmarrjet e fasonit, sidomos në rajonet kufitare siç është edhe Gjirokastra, pasi kostot në këtë mënyrë reduktohen”, tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në qarkun e Gjirokastrës, Mustafa Devolli, gjatë një konference për shtyp te dhënë sot.

Ai u shpreh se, jo vetëm investitorë të fuqishëm grekë, por edhe italianë, në bashkëpunim me emigrantë shqiptarë, kanë shprehur interesin e tyre për të operuar në fushën e fasoneve në këtë rajon.