Lajme Shqip Monday, 04 July 2011 12:33

Gjirokastër – Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, David Cohen, zhvilloi dje dhe sot vizita në qytetet e ndryshme në jug të vendit, për të parë, sipas tij, mundësi bashkëpunimi në fushën e turizmit, agrikulturës dhe teknologjisë.

“Gjirokastra mund të jetë një potencial turistik për njerëzit që vijnë nga Izraeli këtë vit. Agjencitë turistike izraelite e kanë përfshirë Shqipërinë për herë të parë këtë vit në listën e guidave të tyre, kështu që izraelitët janë gjatë rrugës së tyre drejt Gjirokastrës”, tha Cohen, gjatë bashkëbisedimit me kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Bime.

Duke folur për mediat, Ambasadori Cohen e ka çmuar Shqipërinë një vend të sigurtë për investitorët izraelitë dhe një destinacion të lakmueshëm për turistët izraelitë.

“Shqipëria dhe Izraeli mund të bashkëpunojnë në agrikulturën modern, sepse Izraeli është shumë i zhvilluar në këtë pikpamje dhe kur them argrikultura moderne dua të them se vetëm 2 % e krahut të punës në vendin tim merret me agrikulturë dhe ata plotësojnë nevojat e vendit dhe eksportojnë”, pohoi Cohen.

Lidhur me situatën politike në vend, pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, Ambasadori Cohen tha se “Shqipëria është një vend demokratik dhe situata politike nuk po reflektohet në turizëm. Ne izraelitët e njohim Shqipërinë si vend demokratik prej më shumë se 20 vitesh. Ne e konsiderojmë atë një vend në NATO dhe shumë pranë BE”.

Cohen theksoi se 63 shqiptarë njihen në Izrael si shpëtues të jetës së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ky është numri më i madh i ndihmës ndaj Izraelit në raport me popullsinë.

“E njoh mirë besën e shqiptarëve, ndërmjet shkrimtarit të madh gjirokastrit, Ismail Kadare, dhe jam i sigurtë se turistët hebrej do të gjejnë në Shqipëri mikpritjen dhe bujarinë”, përfundoi David Cohen.