Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 13:51

Prishtinë – Gjiganti i dikurshëm ekonomik i Kosovës, ndërmarrja e Trepçës, e ka paditur Serbinë për dëmet ekonomike.
Shërbimi juridik i ndërmarrjes Trepça ka dorëzuar në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, një padi kundër shtetit të Serbisë. Padia lidhet me dëmet ekonomike që Sërbia i ka shkaktuar Trepçës nga viti 1990 e deri më 1999, bëri të ditur zyra për marrëdhënie me publikun dhe media në ndërmarrjen Trepça.
Vlera e dëmit që i është shkaktuar kësaj ndërmarrje pas vendosjes së masave të dhunshme në vitin 1990, e deri në përfundim të luftës më 1999, kap shifrën 887.167.525 dollarë.
Dëmi i shkaktuar është llogaritur nga ekspertët e Trepçës dhe lidhet me sektorin e minierave, fabrikave të pasurimit dhe metalurgjive të plumbit dhe zinkut.
Ekspertët e ndërmarrjes Trepça kanë përgatitur të gjitha materialet e duhura, që do të përdorën si prova materiale në gjykatë.