Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 10:30

Tiranë-Gjatë konsultimeve ndërqeveritare gjermano-kosovare për bashkëpunim ekonomik zhvillimor, të cilat u mbajtën më 12 mars 2012 në Prishtinë, Qeveria gjermane është zotuar për një mbështetje të mëtejshme të vendit më të ri në Evropë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për afrimin e tij me BE-në.

Në një komunikatë për shtyp, lëshuar sot nga Amabsada e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë bëhet e ditur se të dy delegacionet u pajtuan për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe nxitjes së punësimit, arsimit, si dhe energjisë e infrastrukturës së ujërave.

Për këtë bashkëpunim Qeveria gjermane planifikon – me kusht të miratimit përfundimtar të institucioneve relevante qeveritare gjermane – të vë në dispozicion 27,7 milionë Euro të tjera për vitin 2012.

Në sektorin e energjisë Gjermania planifikon të mbështes sërish Qeverinë e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të rrjetit të transmetimit të energjisë, ashtu që popullsia të mund të përfitojë në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të kontribuojë njëkohësisht në integrimin e tregut kosovar në atë evropian.

Mjetet financiare, të cilat ishin zotuar që në vitin 2010 për ndërtimin e impjanteve për trajtimin e ujërave do të rriten. Nëpërmjet kësaj jepet një kontribut i qenësishëm në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së qytetarëve kosovarë. Me mbështetjen e zhvillimit rural dhe mbështetjen e qendrave kompetente për arsim, në kuadër të arsimit profesional, është planifikuar vazhdimi i projekteve aktuale.

Për zhvillimin social dhe ekonomik arsimi luan një rol vendimtar. Për këtë është paraparë mbështetja e qëllimeve në vijim në arsimin themelor me mjete shtesë për një fazë të re të projekteve. Gjermania, pas SHBA-ve, është donatori i dytë më i madh bilateral për Kosovën. Që nga fillimi i bashkëpunimit, në vitin 1999 Qeveria germane është angazhuar me sukses me afërsisht 400 milionë Euro për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. (LajmeShqip.com)