Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 15:53

Lindau – Presidenti Gjorge Ivanov do të marrë pjesë në Samitin e Unionit Panevropian (UPE) që sot dhe nesër do të mbahet në qytetin gjerman Lindau, në krahinën Bavaria. Pjesëmarrësit në konferencë do të diskutojnë në disa panele. Hapja solemne është pasdite, ndërsa tubimi kryesor është nesër kur do të drejtohet edhe Ivanovi.

Mes folësve janë kryetari i Unionit Panevropian internacional Alan Teranoar, kryetari i UPE Gjermani dhe UPE Zvicër, Bernd Poselt dhe Andre Puilon, nënkryetar i Parlamentit Evropian, Libor Rouçek, eurokomisari për energjetikë Ginter Ojtinger…fjalim do të mbajë edhe princi Hans Adam i Dytë nga Lihetanshtajni, me të cilin shefi i shtetit Ivanov do të takohet.

Në takimin e biznesit që do të mbahet sot para fillimit të konferencës, Ivanovi do të takohet me përfaqësues të odës ekonomike të Bavarisë, krahina më e zhvilluar gjermane dhe potencial i madh për bashkëpunim në më shumë sfera, si turizmi (para se gjithash ai i banjave), i tekstilit dhe sektore të tjera industriale.

Unioni Panevropian është organizata më e vjetër mbarevropiane. Është formuar në vitin 1923 si lëvizje që punon në idenë për Evropë të madhe dhe të bashkuar, për unitet, paqe dhe përparim. Maqedonia është anëtarësuar në UPE nga viti 1993 me emrin kushtetues.