Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 15:52

Tiranë – Banka gjermane KfW financon 10 milionë euro për sigurimin e një sistemi të qëndrueshëm kanalizimesh në Pogradec. Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit dhe programit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe KfW për financimin e projektit “Mbrojtja mjedisore e Liqenit të Ohrit, kanalizimet Pogradec 3”.

Sipas përfaqësuesit të ministrisë së Transporteve, Klodian Shehu, marrëveshja parashikon financimin dhe zbatimin e projektit të ujësjellës-kanalizimeve në zonën e Pogradecit dhe liqenit të Ohrit.

“Projekti, që aktualisht është në fazën e tretë të tij, synon përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizime, rritjen e orëve të furnizimit me ujë deri në 24 orë në ditë përgjatë bregut dhe 20 orë në ditë te pjesët e tjera të zonës së shërbimit, si dhe grumbullimin dhe trajtimin e vazhdueshëm të ujrave të përdorura në impiantin e pastrimit dhe pastrimin e ujit të liqenit”, tha Shehu.

Sipas tij, zbatimi i projektit pritet të ketë impakt direkt në rritjen e numrit të turistëve, vendas e të huaj që frekuentojnë gjatë të gjithë vitit resortet e qytetit të Pogradecit.

Termat e kredisë janë relativisht të buta, pasi kanë suportin financiar të Qeverisë Gjermane, dhe nga përmirësimi i kësaj infrastrukture do të përfitojnë rreth 50 mijë banorë.